Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po vazhdon të cenojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, përmes deklarimeve dhe veprimeve, gjë që sipas tij është konfirmuar edhe nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese. Shala ka thënë se çështja e njohur si “Laban” është një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga, siç e ka quajtur ai, tema kryesore: fakti që themelimi i institucioneve është peng i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe partisë së tij. “Sa i përket gjyqtarit të Kushtetueses, presidentja dhe Albin Kurti e kanë për obligim t’i bëjnë publike faktet dhe informatat që kanë pranuar nga institucionet e sigurisë, nëse ato ekzistojnë. Ngërçi gjithmonë ka qenë politik e jo kushtetues. Prandaj është e rëndësishme që të respektohet Kushtetuta dhe dispozitat që burojnë nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese,” ka shkruar Shala. Ai ka theksuar se Kurti, si fitues i zgjedhjeve, ka detyrim të sigurojë shumicën parlamentare për votimin e kryetarit ose kryetares së Kuvendit dhe të qeverisë, ndërsa në mungesë të votave, sipas tij, ka zgjedhur bllokadën. Dialogu politik është zgjidhja e vetme, mirëpo për të nevojiten parime dhe sinqeritet, gjë që i ka munguar partisë që ka dalë e para në zgjedhje,” ka përfunduar Shala.
