Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se shumica parlamentare duhet të ndërtohet mbi marrëveshje politike dhe jo përmes pazareve apo korrupsionit politik. Haziri kujtoi një rast nga e kaluara, kur ishte i gatshëm ta jepte votën e tij për formimin e Kuvendit pa asnjë kusht, duke iu referuar situatës kur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kishte thënë se i kishte votat për Qeveri, por i mungonte një për Kuvend. “Kam qenë unë ai që kam thënë se e jap votën edhe pa kushte,” theksoi ai. Sipas Hazirit, mënyra se si është ndërtuar shumica parlamentare aktuale ka lënë të kuptohet për “korruptim politik”. Ai theksoi se marrëveshja për votë duhet të jetë e bazuar në parime politike, e jo në interesa personale. “Kur ti ia jep votën vet, ia jep votën dhe pastaj thonë ‘këtë e kemi blerë me çmim ministri, me çmim tenderi, e ku ta di unë çka’. Nuk duhet të luftohet për të krijuar shumicë parlamentare me këmbim të tillë,” u shpreh Haziri.
