Tridhjetë vjet pas Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjë e Hercegovinën. Gazetari Melazim Koci tha se, ndonëse në atë kohë kishte zhgënjim të madh, përjashtimi i Kosovës nga procesi i Daytonit ka qenë në fakt një fat i madh, pasi përfshirja e saj mund të kishte përfunduar me një status të kufizuar si entitet brenda Serbisë. Historiani Lulzim Nika theksoi se refuzimi i Millosheviqit për ta përfshirë Kosovën në Dayton i është kthyer si boomerang vetë Serbisë, duke përmendur krijimin e shtetit të Kosovës në rrethana më të favorshme për shqiptarët. Opinionisti Rrahman Paçarizi kujtoi se mos përfshirja e Kosovës u interpretua si lënie pas dore nga bashkësia ndërkombëtare dhe si pasojë e qëndrimit të klasës politike të kohës, e cila kishte refuzuar pjesëmarrjen në zgjedhjet serbe. Ndërsa historiani Azdren Shala shtoi se shqiptarët, si pala më e dobët në atë kohë, nuk ishin subjekt i negociatave të vërteta, por vetëm të njoftuar për vendimet që merreshin. Marrëveshja e Daytonit mund të ketë ndalur luftën në Bosnjë, por për Kosovën, përjashtimi prej saj u kthye në pikënisje drejt lirisë dhe shtetësisë.
