Ramush Haradinaj: Pas kësaj beteje elektorale, AAK është më e fokusuar se kurrë

Pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, Ramush Haradinaj ka shprehur mirënjohjen ndaj votuesve të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke e cilësuar rezultatin prej rreth 7 për qind dhe afro 50 mijë votash si një mbështetje të rëndësishme për vizionin politik të Aleancës. Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve në Kosovë dhe diasporë, Haradinaj falënderoi të gjithë ata që i besuan programit dhe kandidaturave të AAK-së, duke theksuar se vota e tyre përfaqëson më shumë sesa një mbështetje elektorale. “Vota juaj këtë herë ishte më shumë sesa mbështetje për Aleancën. Ju na dhatë krahë që të vazhdojmë betejën e nisur për Kosovën që duam, të zhvilluar, sovrane e të pandashme, demokratike nga brenda dhe në partneritet të përjetshëm me aleatët, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara”, ka shkruar ai. Haradinaj vlerësoi gjithashtu angazhimin e strukturave partiake dhe të kandidatëve, duke veçuar rolin e Ardian Gjini në udhëheqjen e listës zgjedhore. Pas përfundimit të procesit zgjedhor, partia do të vazhdojë angazhimin e saj politik me përkushtim edhe më të madh. “Dua t’ju garantoj se pas kësaj beteje elektorale jemi më të fokusuar se asnjëherë, jemi më të vendosur se kurrë që t’i përmbushim detyrat që na presin, gjithmonë në interes të shtetit e të kombit”, u shpreh Haradinaj. Në fund, ai uroi qytetarët dhe institucionet e angazhuara në organizimin e zgjedhjeve, duke shprehur besimin se procesi zgjedhor ka qenë i lirë, i ndershëm dhe demokratik.

Kontrolloni gjithashtu

Vetëvendosja fiton bindshëm në Han të Elezit, Rufki Suma falënderon qytetarët për besimin

Ish deputeti i VV, Rufki Suma, ka njoftuar se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar fitore bindëse …