Ismet Hajrullahu: Çfarë dreqin bëjnë këta kuvendarë?!

Nëse dikur, titulli “Një gomar për parlament” tingëllonte si një hiperbolë satirike, sot  përbën një diagnozë e saktë për gjendjen e politikës ne vend…

Gomari, kafsha që njihet për durimin dhe thjeshtësinë, është bërë simbol i arsyes në një kuvend, ku logjika ka dalë në pension moti…

Në këtë parlament, ku shumica e deputetëve janë zgjedhur jo për idetë, por për aftësinë për të blerë vota, e për të bërë premtime boshe, gomari do të ishte një përmirësim.

Ai nuk do të fliste kot, nuk do të premtonte gjëra që nuk do të  mund t’i realizonte, dhe nuk do të votonte ligje që i shërbejnë vetëm xhepit të vet… Në fakt, gomari nuk do të bënte asgjë dhe kjo është më mirë se shumëçka që bëjnë ata, që sot mbajnë titullin “deputet”.

Në Kuvendin e Kosovës, injoranca është bërë standard profesional ku  disa deputetë nuk dinë të lexojnë një nen pa u ngatërruar me fjalën “kompetencë”. Të tjerë flasin për “sovranitet” si të ishte një lloj sose që mund ta hedhin sipas shijeve partiake. Paradoksale është situata  kur për shembull  ndodh ndonjë skandal, e të gjithë bëhen “të pa informuar”, si të kishin rënë nga qielli direkt në karrigen parlamentare..

Nëse do të bëhej një test inteligjence në vend, gomari do të kalonte me sukses, ndërsa disa deputetë do të kërkonin ndihmë nga google  për të kuptuar pyetjen. Fat, qe Mira Murati, është gjithmonë e gatshme që të na japë përgjigje , edhe për pyetje që  mund të jenë absurde, sepse në këtë parlament, të dish diçka është e dyshimtë, por të flasësh pa ditur është normë.

Seancat parlamentare janë kthyer në një teatër absurd ku aktorët nuk dinë tekstin, publiku nuk ka shpresë, dhe skenari është shkruar nga korrupsioni. Njëri flet për “zhvillim rajonal” ndërkohë që ka zhvilluar vetëm biznesin  e vet. Tjetri flet për “arsim cilësor” ndërkohë që nuk ka lexuar një libër që nga koha kur gomari ishte kandidat për deputet.

Dhe kur ndonjë deputet guxon të flasë me logjikë, të tjerët e shikojnë si të ketë ardhur nga një galaktikë tjetër. Sepse në këtë Kuvend, logjika është sëmundje, ndërsa mediokriteti është privilegj.

Në fakt, gomari nuk do të kërkonte rritje rroge, nuk do të merrte pjesë në pazare tenderësh, dhe nuk do të bënte deklarata të rrezikshme në media. Ai do të rrinte në qoshe, do të hante barin e vet, dhe do të mendonte: “Çfarë dreqin bëjnë këta njerëz?”

Nëse do të kishim një gomar në parlament, ndoshta do të kishim më pak ligje të shkruara për interesa personale, dhe më shumë heshtje që është më e dobishme se fjalët boshe.  Ndoshta, për herë të parë, populli do të ndjente se dikush po përfaqësonte thjeshtësinë, durimin dhe ndershmërinë ,pasi  gomari nuk ka nevojë për PR, as  për fushatë as për premtime. Ai është aty, i thjeshtë, i qartë, dhe mbi të gjitha  i sinqertë, në një parlament ku sinqeriteti është mall i rrallë..

Në fund, parlamenti është si një fermë ku kafshët e vërteta janë jashtë, dhe ato me dy këmbë janë brenda.

E në  këto situata që po kalojmë , ndërsa populli pret ndryshim, kuvendi vazhdon të prodhojë vetëm zhurmë, premtime boshe, dhe ligje që i shërbejnë vetëm atyre që i shkruajnë.

Prandaj, ndoshta është koha të pranojmë se një gomar për parlament nuk është më tallje e satire por  është nevojë urgjente.

Kontrolloni gjithashtu

Arbana Qeriqi: Injorimi i kontributit të Ahmet Qeriqit përbën një padrejtësi ndaj së vërtetës historike

Unë jam e bija e profesor Ahmet Qeriqit –njeriu që i dha jetën e tij …