Ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, ka nisur dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke u paraqitur si dëshmitari i parë i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Rubin, i njohur si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Madeleine Albright gjatë procesit të Rambujesë, përshkroi nga afër rolin e Thaçit në negociatat e vitit 1999 dhe kufizimet që ai kishte në raport me strukturën ushtarake të UÇK-së.
Avokati Luka Mishetiq theksoi se Rubin kishte qenë i dërguar i posaçëm i Albright për të komunikuar me delegacionin shqiptar, duke përfshirë edhe Thaçin. Rubin dëshmoi se kishte pasur shumë takime me të dhe se kishte vërejtur shqetësimin e Thaçit se nuk mund të merrte vendime pa mbështetjen e krahut ushtarak të UÇK-së. Ai po ashtu theksoi se qëllimi i Thaçit ishte një Kosovë paqësore dhe multietnike.
Dëshmia e Rubin ndikon drejtpërdrejt në narrativën e mbrojtjes, duke e paraqitur Thaçin jo si figurë absolute vendimmarrëse të UÇK-së, por si negociator të kufizuar, që përfaqësonte interesat e delegacionit shqiptar nën mbikëqyrjen e aleatëve ndërkombëtarë.
Përtej aspektit personal, dëshmia e tij konfirmon edhe rolin e SHBA-së në Rambuje: jo vetëm si ndërmjetës, por edhe si faktor udhëzues që orientoi procesin drejt demilitarizimit të UÇK-së dhe përpjekjeve për paqe. Kjo mbrojtje synon të nxjerrë në pah se vendimmarrjet strategjike nuk ishin të Thaçit, por të koordinuara dhe të ndikuara fuqishëm nga diplomacia amerikane.
Rubin, që më vonë ka kontribuar edhe në krijimin e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, e ka cilësuar Albright si avokuese kryesore për drejtësinë ndërkombëtare dhe paqen në Kosovë.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë disa ditë dhe shihet si një nga momentet kyçe për drejtimin e mëtejmë të procesit gjyqësor ndaj Thaçit dhe bashkë të akuzuarve të tij.