Komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Enrico Barduani, ka deklaruar para Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Këshillit të Atlantikut të Veriut se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike. Ai theksoi se situata aktuale është e qëndrueshme, por mbetet e ndjeshme ndaj përshkallëzimeve të papritura për shkak të çështjeve të pazgjidhura. “Pavarësisht sfidave, KFOR ka qëndruar në rrugën e duhur, duke ruajtur stabilitetin dhe zbutur situata që mund të çonin në incidente,” tha Barduani. Ai ripërsëriti mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se përparimi kërkon implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe fleksibilitet nga të dyja palët. Barduani gjithashtu vlerësoi forcimin e misionit, përfshirë vendosjen e forcave rezervë dhe bashkëpunimin e thelluar me komunitetin ndërkombëtar, Policinë e Kosovës dhe Forcat e Armatosura Serbe. “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, duke kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të paanshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës,” përfundoi ai.
