Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe qeverinë e tij për qëndrimin ndaj procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë kundër liderëve të UÇK-së. Gucati tha se reagimet e qeverisë janë të vonuara dhe të ftohta, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka UÇK-në me shpirt, pavarësisht deklaratave formale: “Po ta kishte me shpirt, do të sillej ndryshe me pjesëtarët e UÇK-së. Reagimet e tyre janë të vonshme, por nuk e kanë me shpirt, nuk e besoj.” Ai shprehu zhgënjim të veçantë ndaj mosreagimit të institucioneve në kohën kur ish-diplomati amerikan James Rubin kishte bërë deklarata të forta kundër Gjykatës Speciale, duke theksuar se nuk po gjykohen individë, por vetë UÇK-ja dhe Kosova. “Fatkeqësisht, Albin Kurti është kryeministër i vendit në këtë kohë. Duhet të dalin në emër të qytetarëve, sepse ata që po gjykohen janë qytetarë të Kosovës. Atje nuk po dënohet Hashim Thaçi, as baci Jakup, por dënohet UÇK-ja dhe Kosova.” Gucati kritikoi edhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, i cili në një konferencë për media kishte deklaruar se Gjykata Speciale është e padrejtë dhe kishte uruar që krerët e UÇK-së të dalin të pafajshëm. “Është dashtë të dalë më herët dhe të falënderojë Amerikën për mbështetjen në ditët e vështira. Tani është koha e zgjedhjeve dhe deklarata e Muratit është vonë dhe e pamjaftueshme.”
