Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka paralajmëruar se liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë në Kopenhagë, më 1 tetor, reagimin e tyre ndaj shkeljeve të hapësirës ajrore evropiane nga avionët ushtarakë rusë. Deklarata e tij erdhi pas incidentit, kur tre avionë rusë hynë për 12 minuta në hapësirën ajrore të Estonisë, përpara se të dëboheshin nga një mision italian i patrullimit ajror. “Shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë ushtarakë rusë është një provokim tjetër i papranueshëm. Kjo nënvizon nevojën urgjente për të forcuar krahun lindor, për të rritur bashkëpunimin evropian në fushën e mbrojtjes dhe për të intensifikuar presionin ndaj Rusisë”, tha Costa në një reagim publik. Edhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e dënoi incidentin duke e cilësuar si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Ajo theksoi se Bashkimi Evropian qëndron plotësisht në solidaritet me Estoninë. “Jam në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze. Do të vazhdojmë të mbështesim shtetet anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putin po teston vendosmërinë e Perëndimit. Nuk duhet të tregojmë dobësi”, tha Kallas. Estonia është vendi i tretë anëtar i NATO-s që raporton një shkelje të hapësirës ajrore nga Rusia në javët e fundit, pas Rumanisë dhe Polonisë.
