Kryetari i komunës së Skënderajt, z. Fadil Nura në mbledhjen e sotme të kuvendit komunal të Skënderajt ka thënë se ka përmbyllur vetëm një kapitull të rrugëtimit të përbashkët – një rrugë që nuk ka fund por ka angazhim të vazhdueshëm nga secili që ka përgjegjësinë e kryetarit të Komunës.
Pas seancës së fundit të Kuvendit Komunal, kryetari Nura ka falënderuar në radhë të parë kryesuesen e Kuvendit, znj. Adelina Spahiu dhe të gjithë asamblistët, qoftë kur janë pajtuar, qoftë kur nuk janë pajtuar.
Mundi i të gjithëve ka qenë për të mirën e përbashkët.
Faleminderit për këtë!
Faleminderit të gjithë drejtorëve të Ekzekutivit – një ekip i shkëlqyer që ka bërë të pamundurën për të çuar përpara politikat zhvillimore.
Faleminderit ekipit të OSBE-së që na shoqëroi gjatë këtij mandati, shoqërisë civile, medieve dhe të gjithë të tjerëve që përcollën punimet e Kuvendit.
Krejt për fund, ecja jonë përpara është e pandalshme, me ndërshmëri dhe me shpresë që Skenderaj ynë të lulëzojë nga të mirat dhe zhvillimi.
Faleminderit të gjithë qytetarëve, prej atij më të mosharuit e deri te i sapolinduri – ju që jeni zemra dhe shpirti i kësaj komune, ka thënë në fjalën e tij kryetari i Skënderajt, z. Fadil Nura.