Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përfundimit të protestës madhështore të mbajtur dje në Tiranë në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rama ka publikuar dy fotografi domethënëse: një nga protesta, ku shihet pjesëmarrja e jashtëzakonshme e qytetarëve përballë monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, dhe një tjetër me figurat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. “Liria ka emër”, ka shkruar shkurt Rama, duke shprehur përkrahjen e tij për drejtësinë dhe simbolikën e UÇK-së në historinë shqiptare. Edhe pse nuk mori pjesë personalisht në protestë, kryeministri ka sqaruar se dëshiron që ngjarja të mbetet larg politizimit, për të mos cenuar qëllimin dhe përmasën popullore të saj. Mbështetja e tij është pritur me mirënjohje nga shumë qytetarë dhe personalitete, mes tyre edhe djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka falënderuar publikisht për përkrahjen.
