Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e ka kritikuar Kurtin, duke thënë se “njeriu që deklaroi se i ka votat, tani po ankohet se nuk i ka”. Ajo e cilësoi Kurtin si “person përçarës që ka dëmtuar raportet me të gjithë, madje edhe me ndërkombëtarët”, duke shtuar se kjo është arsyeja pse askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me të. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka lënë të kuptohet se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, pasi formimi i qeverisë së re po rezulton i vështirë. Nga Londra, ku po qëndron në një takim me diasporën, Kurti pranoi se procesi është i ndërlikuar dhe se “atmosfera politike është intoksikuar nga xhelozia, inatet dhe cinizmi”, duke shtuar se mungon fryma e bashkëpunimit dhe përkushtimit për ide e punë. “Po përpiqemi ta bëjmë Qeverinë, por siç duket alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, tha ai, pa përmendur me cilat parti po zhvillon bisedime. Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimin e mëparshëm të Kurtit, i cili para konstituimit të Kuvendit kishte deklaruar se i kishte “numrat për qeveri”. Kështu, në mungesë të një marrëveshjeje politike, Kosova mund të përballet me mundësinë e zgjedhjeve të reja, vetëm pak muaj pas përfundimit të atyre të fundit.
