Në Viti, sot u mbajt një aktivitet përkujtimor kushtuar publicistit, poetit dhe intelektualit të shquar, Ramadan Musliu, me rastin e 5 vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Aktiviteti, i cili u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve të Komunës së Vitisë që mban emrin e tij, “Ramadan Musliu”, mblodhi poetë, krijues dhe dashamirë të fjalës artistike nga të gjitha trojet shqiptare.
Në kuadër të këtij manifestimi u mbajt edhe një orë letrare përkujtimore, e cila u shpall e hapur nga kryetari i Shoqatës, z. Fadil Abazi. Ai theksoi se ky takim është dëshmi se vepra dhe mendimi i Ramadan Musliut vazhdojnë të frymëzojnë brezat e rinj të krijuesve, duke mbetur një dritë udhërrëfyese në letërsinë dhe kulturën shqiptare.
Një fjalë rasti mbajti edhe nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili vlerësoi figurën e Ramadan Musliut si njërën ndër më të spikaturat në letërsinë dhe mendimin kritik shqiptar.
“Figura e Ramadan Musliut, për nga përmasat krijuese, intelektuale dhe njerëzore, është ndër më të shquarat e letrësisë sonë. Ai nuk ishte vetëm poet e publicist i ndjeshëm, por edhe një intelektual i formuar që i dha letërsisë sonë një dimension të ri të analizës, të reflektimit dhe të qëndrimit kritik,” u shpreh Aliu.
Në fjalën e tij, ai kujtoi se që nga viti 1978, Musliu ishte pjesë e pandashme e qarqeve letrare të Prishtinës, Shkupit e Tiranës, duke qenë një zë i fuqishëm dhe një urë lidhëse mes krijuesve shqiptarë. “Megjithatë, ai kurrë nuk e harroi Anamoravën, Vitinë dhe Gjilanin, që i mbetën gjithmonë epiqendra shpirtërore e jetës dhe veprimtarisë së tij,” shtoi ai.
Në fund, pjesëmarrësit poetë e krijues nga mbarë hapësira shqiptare, lexuan poezi kushtuar figurës dhe veprës së Ramadan Musliut, duke sjellë emocione të thella dhe kujtime për një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në kulturën kombëtare.
Ky aktivitet u vlerësua si një homazh i denjë për një personalitet që jetoi me fjalën, mendimin dhe përkushtimin ndaj kombit.