Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të presidentes Vjosa Osmani për të mandatuar Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër. Sipas tij, ky veprim nuk është institucional, por politik, dhe i shërben drejtpërdrejt interesave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Presidentja Osmani është në vijë me Kurtin. Pasi e mandatoi Glaukun, i ftoi shefat e partive të tjera për konsultime. Kjo tregon se konsultimet ishin formale, jo reale, tha Haradinaj. Deputeti opozitar theksoi se qëllimi pas këtij vendimi është zgjatja artificiale e procesit politik për të shtyrë zgjedhjet deri në fund të vitit. Ajo bëri një shërbim për Kurtin, i cili pretendon që vendi të shkojë në zgjedhje në fund të këtij viti. Në takimin e fundit, partitë opozitare kanë qenë të qarta se duan zgjedhje të menjëhershme, por situata mbetet e pandryshuar, shtoi Haradinaj. Qëndrimi i Haradinajt shton tensionet në skenën politike, në një moment kur Kosova ndodhet në pritje të sqarimit të rrugës kushtetuese pas dorëheqjes së qeverisë. Kritikat ndaj presidentes Osmani nxisin debatin mbi rolin e saj si garantuese e paanshmërisë institucionale, ndërsa opozita e sheh vendimin për mandatimin e Konjufcës si një strategji të Lëvizjes Vetëvendosje për të fituar kohë dhe për të ruajtur kontrollin politik deri në zgjedhjet e ardhshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
