Disa muaj para se Albin Kurti të dërgonte letrën në Hagë për lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku, kishte thënë se kryeministri “moralisht nuk mund të quhet i tillë” nëse nuk ofron garanci shtetërore për ta. Deklarata e Lushtakut erdhi në një kohë kur familjet e të akuzuarve dhe ish-bashkëluftëtarët kërkonin reagim institucional për gjendjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po mbahen tash pesë vjet në paraburgim në Hagë. Kurti publikoi një letër të vitit 2022, drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, në të cilën ai ofronte garanci shtetërore për lirimin me kusht të të akuzuarve. Ai tha se letra ishte dërguar në heshtje dhe se kishte marrë përgjigje dy javë më vonë, por pa asnjë rezultat konkret. “E bëj publike për një arsye të vetme – sepse është e drejtë që ata të kthehen pranë familjeve të tyre dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës”, tha Kurti. Megjithatë, opozita e cilësoi këtë veprim si të vonuar dhe politik, duke kujtuar se për tre vite me radhë, Kurti nuk kishte ndërmarrë hapa realë për t’u dalë në krah ish-krerëve të UÇK-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
