Analisti politik Avni Arifi ka vlerësuar se kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ka fituar përkrahje dhe respekt përtej kufijve lokalë, duke e cilësuar atë si “fitues në të gjithë Kosovën”. Arifi deklaroi se gara e Tahirit nuk është thjesht një përballje elektorale me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, por një sfidë e hapur me gjithë strukturën e pushtetit aktual. “Kosova ka një lider pa vizion për shtet, që merret me një komunë. Arian Tahiri nuk është në garë vetëm me Faton Pecin, por me Albin Kurtin, me deputetët e Vetëvendosjes, madje me gjithë mekanizmat e shtetit që po përfshihen në mënyrë të padrejtë në këtë garë,” theksoi Arifi. Sipas tij, përpjekjet për ta penguar Tahirin tregojnë se pushteti po përdor të gjitha mjetet për të ruajtur kontrollin politik, ndërsa qytetarët e Mitrovicës janë ata që duhet të vendosin lirshëm, pa “propaganda të ndyra”. “A fiton Faton Peci apo Arian Tahiri, këtë duhet ta vendosin qytetarët e Mitrovicës, jo pushteti dhe as propaganda,” – shtoi Arifi.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
