Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas përfundimit të dëshmisë së gjeneralit amerikan Wesley Clark në gjykatën speciale, duke e cilësuar atë si moment të rëndësishëm që i dha fund me forcë një procesi të padrejtë. Hamza tha se deklarimet e gjeneralit Clark, si dëshmitari i fundit i mbrojtjes, e rikthyen fokusin te faktet historike dhe parimet universale të lirisë. “Gjenerali Wesley Clark, si dëshmitari i fundit në Gjykatën Speciale, ia dha këtij procesi të padrejtë një fund të fuqishëm. Dëshmia e tij riktheu fokusin te faktet dhe te parimi se liria e popujve është e patjetërsueshme”, ka shkruar Hamza. Ai theksoi se me këtë dëshmi “narrativat e rreme ranë”, duke nënvizuar se historia e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës nuk mund të rishkruhet. Hamza shprehu bindjen se liderët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë, së shpejti do të kthehen të lirë dhe krenarë në Kosovë. “Liderët tanë të luftës dhe paqes së shpejti do të kthehen krenarë, mes familjeve dhe popullit të tyre, mes nesh në Kosovë”, përfundoi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
