leoni

Kroacia rrit praninë në Kosovë: 151 trupa të rinj i bashkohen misionit të KFOR-it

Më shumë se 150 ushtarë kroatë i janë bashkuar misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, në një veprim që Ministria kroate e Mbrojtjes e cilësoi si kontribut të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit. Në njoftimin zyrtar thuhet se siguria e Kosovës mbetet kyçe për paqen dhe ekuilibrin në Ballkan. Kroacia ka qenë pjesë e KFOR-it që nga viti 2009, me mbi 2.400 pjesëtarë të angazhuar ndër vite, përfshirë rreth 140 gra. Tani, kontingjenti i 44-të prej 151 ushtarësh është nisur drejt Kosovës, me vendosje në tre lokacione të ndryshme, duke u pritur në kazermat “Brigada e 3-të e Gardës Kuna” në Gjakovë. Pjesën më të madhe të kontingjentit e përbën kompania e motorizuar e këmbësorisë, e cila shoqërohet nga komponenti i aviacionit, stafi i selisë komanduese, ekipet që do të këshillojnë dhe zhvillojnë kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe një ekip mjekësor. Aktualisht, Kroacia merr pjesë në dhjetë operacione dhe misione ndërkombëtare, me gjithsej 297 trupa të dislokuar nëpër botë. Zëvendëskryeministri dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, theksoi se misionet ndërkombëtare vazhdojnë të jenë një nga pikat më të forta të reputacionit të Forcave të Armatosura Kroate. “Të gjithë kanë vetëm fjalë lavdërimi për profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarëve tanë,” u shpreh ai në njoftim.

Kontrolloni gjithashtu

Shkarkohet u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi – KPK emëron Agron Qalajn në krye të institucionit

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë sot një vendim të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, …