Bashkimi Evropian ka vlerësuar se Serbia po i shkel detyrimet e saj nga marrëveshja e vitit 2023 për normalizimin e raporteve me Kosovën, duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Interpol. Reagimi erdhi pasi ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, u lavdërua publikisht se Serbia po vazhdon bllokimin diplomatik ndaj Kosovës dhe se “Kosova nuk ka kurrfarë gjasash të bëhet pjesë e Interpolit”. Një zëdhënës i BE-së konfirmoi për Kohën se ky veprim përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 4 të marrëveshjes së Ohrit, që obligon Serbinë të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Sipas tij, marrëveshja mbetet valide dhe obligative për të dyja palët, ndërsa zbatimi i saj ndikon drejtpërdrejt në rrugëtimin evropian dhe përfitimet financiare nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor. “Progresi i Serbisë në procesin e integrimit varet nga implementimi i plotë i obligimeve të normalizimit. Duke kundërshtuar në parim anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Serbia është në shkelje të marrëveshjes”, u shpreh zëdhënësi. BE nuk ka saktësuar ende se cilat masa do të ndërmerren kundër Serbisë për këtë shkelje, pavarësisht kritikave të disa shteteve anëtare që kanë ngritur shqetësime për qasjen “e pabalancuar” të Brukselit – ku masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi, ndërsa Serbia nuk përballet me ndëshkime të prekshme. Sipas BE-së, çdo pagesë nga plani i rritjes do të kushtëzohet me vlerësimin e progresit në implementimin e marrëveshjes së normalizimit. Serbia ndërkohë ka marrë pagesën e parë në formë “parafinancimi”, teksa Kosova nuk ka përfituar ende për shkak të mosratifikimit të marrëveshjes së kredisë me BE-në.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
