Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje jo për shkak të dëshirës politike, por si rezultat i, siç tha ai, ngecjeve të krijuara nga partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit. Haradinaj u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar të përmbushë mandatin e marrë nga qytetarët, duke e orientuar vendin drejt bllokadës së institucioneve. Sipas tij, vullneti zgjedhor është “shkelur me këmbë”, ndërsa vendi është futur në një krizë funksionale. Zgjedhjet e reja nuk po mbahen nga qejfi. Ato janë zgjedhje të imponuara nga rrethanat. Në vend që të krijonin institucionet pas rezultatit të shkurtit, ata që dolën të parët zgjodhën bllokadën”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka shtuar se procesi i 28 dhjetorit duhet të jetë mundësia për t’i dhënë fund, siç tha, ciklit të ndërprerjeve institucionale. “Jam i bindur se kjo logjikë do të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Krah teje, kundër bllokadës!”, ka përfunduar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
