Ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj, ka vlerësuar se sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Kosovës mund të hiqen sapo të formohet qeveria e re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Rifillimi i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë do të jetë thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve me BE-në dhe SHBA-të. Prenkaj u shpreh se masat e vendosura nga BE-ja në qershor të vitit 2023 lidhen me zhvillimet në veri të vendit dhe me tensionet e krijuara pas hyrjes në detyrë të kryetarëve të komunave të zgjedhur në proces të bojkotuar nga komuniteti serb. Ai vlerësoi se një qasje më e koordinuar e institucioneve të ardhshme me aleatët do të krijonte hapësirë për heqjen e tyre. Një nga hapat e parë që duhet të ndërmarrë qeveria pasardhëse është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që dokumenti të vlerësohet dhe harmonizohet me rendin kushtetues. Një procedurë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të ecë përpara në proceset e integrimit evropian dhe të aplikojë në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, ka theksuar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
