Ylber Hysa: Retorika e Kurtit për SHBA-në, është joserioze dhe e rrezikshme

Ish-diplomati Ylber Hysa ka vlerësuar se deklarimet e fundit të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, rreth raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë pjesë e një fushate të pastër elektorale dhe mungesë serioziteti në një periudhë kritike gjeopolitike, ku doktrina e re e politikës së jashtme amerikane po përcakton qasje të reja strategjike. Pretendimet e Kurtit për raportet me SHBA-në përmbajnë “varg absurdistesh”, sidomos kur ballafaqohen me faktet e realitetit diplomatik. Ai theksoi se e rëndësishme nuk është interpretimi i Kurtit për marrëdhëniet, por mënyra se si e shohin partnerët amerikanë Kosovën në këtë fazë. “Sinjalet nga Uashingtoni janë të qarta për këdo që di të lexojë gjuhën diplomatike. Kurti nuk gëzon reputacionin e një partneri të besueshëm. Mospjesëmarrja në takime të nivelit të lartë dhe mungesa e ftesave zyrtare janë mesazhe të drejtpërdrejta,” deklaroi Hysa. Ai theksoi se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë projekt strategjik i SHBA-së dhe nuk mund të identifikohen me një lider të vetëm. Prandaj, sjelljet joserioze, siç i cilësoi ai, nuk mund të rrezikojnë investimet shumëvjeçare të partnerëve ndërkombëtarë. Hysa paralajmëroi se vazhdimi i politikave “jo të mençura” nga Kurti mund ta gjejë Kosovën të papërgatitur për kërkesat që mund të vijnë nga SHBA dhe BE, duke theksuar se barrën e pasojave do ta mbajnë qytetarët. Sipas Hysës, rreziku më i madh për Kosovën është stagnimi dhe izolimi.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria projekton buxhetin 10.15 miliardë euro për vitin 2027

Shqipëria parashikon një buxhet prej rreth 10.15 miliardë eurosh për vitin 2027, ndërsa Qeveria e …