Komunikimet e zbardhura nga Prokuroria e Kosovës tregojnë përfshirje të drejtpërdrejtë të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në procesin e emërimit të Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike “Ibër Lepenci”, veprim ky i ndaluar rreptësishtë me ligj. Sipas Kodit Penal të Kosovës, ministrja nuk ka asnjë kompetencë për të ndikuar në përzgjedhjen e kryeshefit të një ndërmarrjeje publike që bie nën përgjegjësinë e ministrisë që ajo drejton. Megjithatë, mesazhet tregojnë se Rizvanolli jo vetëm që ishte e informuar për çdo hap të procesit, por edhe e udhëzonte Mujkën se si të sillej me media dhe si ta paraqiste emërimin si “të pavarur”. Në një nga komunikimet më skandaloze, Rizvanolli i sugjeron Mujkës që “me plot gojë të thotë se Qeveria dhe VV nuk kanë ndikuar në vlerësim”, ndërkohë që vetë ajo ishte pjesë aktive e procesit. Ekspertët juridikë vlerësojnë se këto veprime përbëjnë elemente të qarta të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 414 të Kodit Penal, e cila dënohet me burgim nga 1 deri në 8 vjet. Përveç përfitimit të paligjshëm për një partiak, ky veprim ka shkaktuar dëm serioz edhe ndaj kandidatëve të tjerë, të cilëve u është shkelur e drejta për garë të barabartë dhe të ndershme. Rasti Mujka konsiderohet tashmë si një nga dëshmitë më të rënda të kapjes së institucioneve publike nga pushteti politik dhe rrëzon narrativën e Vetëvendosjes për “shtet ligjor” dhe “antikorrupsion”. / VOX Kosova/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
