Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, ka pritur në Prishtinë ambasadorë, shefa misionesh dhe përfaqësues të lartë nga 33 vende që kontribuojnë me trupa në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë. Sipas njoftimit të KFOR-it, ky takim përbën angazhimin e parë të përbashkët të Gjeneral Major Ulutaş me përfaqësuesit e vendeve kontribuese që nga marrja e detyrës së tij. Gjatë takimit, komandanti i KFOR-it prezantoi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet operative të misionit, si dhe prioritetet strategjike për periudhën e ardhshme. Gjeneral Major Ulutaş rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj të gjitha vendeve kontribuese me trupa për mbështetjen e vazhdueshme ndaj misionit të KFOR-it dhe stabilitetit në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
