Tetë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, gratë vazhdojnë të përballen me kërcënime nga partnerët dhe ish-partnerët

Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë, shumica e tyre ndaj grave, të cilat janë përballur me dhunë psikike, fizike dhe kërcënime nga bashkëshortët apo ish-bashkëshortët e tyre. Shifrat e raportuara nga Policia e Kosovës vijnë në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe paralajmërimet që shpesh paraprijnë tragjeditë. Sipas raportit policor, gjashtë raste janë regjistruar në rajonin e Prishtinës, një në Pejë dhe një në Malishevë. Në disa prej tyre, të dyshuarit janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje, ndërsa në raste të tjera janë liruar në procedurë të rregullt ose hetimet janë duke vazhduar. Shqetësues është rasti në Prishtinë, ku një grua kishte raportuar se ish-bashkëshorti i saj e kishte kanosur dhe se posedonte armë zjarri në shtëpi. Policia, me urdhër të prokurorit, kishte bastisur shtëpinë e të dyshuarit, por nuk kishte gjetur armë apo prova të dyshimta. Megjithatë, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Në një rast tjetër në Pejë, një grua e ndarë nga bashkëshorti, me të cilin ka dy fëmijë dhe është në proces gjyqësor të shkurorëzimit, ka raportuar se ai vazhdonte t’i dërgonte mesazhe dhe se ajo kishte frikë prej tij. Edhe ky rast ka përfunduar me arrestimin e të dyshuarit dhe dërgimin e tij në mbajtje. Raste të dhunës psikike, kanosjeve dhe dhunës fizike janë raportuar edhe në Drenas, Kastriot dhe Prishtinë. Ndërkaq, në Malishevë është raportuar një fjalosje ndërmjet nuses dhe vjehrrit, pas së cilës të dy palët janë intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt. Vrasja e Arlinda Zekajt e bën edhe më të domosdoshëm shqyrtimin e mënyrës se si institucionet i trajtojnë këto raste. Arrestimet dhe mbajtja për disa orë apo ditë nuk mund të jenë treguesi i vetëm i reagimit institucional. Çështja thelbësore është nëse kërcënimet vlerësohen si rrezik serioz, nëse viktimat mbrohen në mënyrë efektive dhe nëse institucionet përcjellin rastet edhe pas paraqitjes së kallëzimeve. Raportimi i dhunës nuk duhet të jetë vetëm një statistikë e radhës në raportin 24-orësh të Policisë. Pas çdo rasti qëndron një grua, jeta dhe siguria e së cilës mund të jenë në rrezik.

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë

Gjykata refuzoi paraburgimin

Pas marrjes në pyetje në Beograd, gjykata e kishte refuzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit …