Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve në Kosovë, duke konfirmuar se e ka uruar personalisht Albin Kurtin për rezultatin zgjedhor. Në konferencën e fund vitit me gazetarë, Rama tha se nuk përjashtohet mundësia e mbajtjes së një mbledhjeje të përbashkët mes dy qeverive, duke kujtuar se takime të tilla janë zhvilluar edhe më herët, përfshirë mbledhjet e përbashkëta të parlamenteve. “Do të ishte mirë të kishim një mbledhje mes dy qeverive. Albin Kurti u rikonfirmua si kryeministër dhe i kam bërë urimet edhe personalisht. Ne do të vazhdojmë punën”, tha Rama. Ai theksoi se një nga projektet kryesore strategjike mbetet hekurudha Durrës–Prishtinë, të cilën e cilësoi si “xhevahirin e kurorës”, duke shtuar se do të bëhen përpjekje maksimale për ta çuar projektin deri në fazën e financimit. Rama e kishte uruar Kurtin edhe një ditë më parë për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
