Viti 2025 ishte një vit i dhimbjes së madhe për stafin, dëgjuesit dhe bashkëpunëtorët e Radios Kosova e Lirë

Ishte një vit që la gjurmë të thella në kujtesën tonë kolektive, sepse në këtë vit u nda nga jeta drejtori i saj, themeluesi shpirtëror dhe mendja udhëheqëse e radios sonë, profesor Ahmet Qeriqi.

Shkuarja në amshim, ishte një goditje e rëndë për një institucion që u rrit, u formua dhe u mbajt gjallë për më shumë se dy dekada nga dora e Tij kujdestare, nga mendja e Tij e ndritur dhe nga përkushtimi i Tij i pashoq ndaj fjalës së lirë, historisë kombëtare dhe së vërtetës.

Viti 2025 ishte i rëndë, sepse mungesa e profesorit u ndje në çdo sekondë të transmetimit, në çdo rubrikë, në çdo analizë, në çdo fjali që doli në eter. Për herë të parë pas shumë vitesh, Radio Kosova e Lirë vazhdoi rrugën e saj pa zërin e brendshëm që e udhëhiqte me qetësi, pa syrin vigjilent që shihte gjithçka dhe pa dorën që rregullonte çdo detaj, nga më i vogli deri te më i madhi.

Për dhjetë muaj me radhë, ka munguar prania e Tij fizike, por jo fryma e Tij. Ka munguar zëri i këshillës, por jo vizioni. Ka munguar fjala e fundit e profesorit, por jo rruga që Ai la pas.

Ai ishte aty për gjithçka.
Që nga biografitë për dëshmorët, të shkruara me ndershmëri, saktësi dhe ndjenjë të thellë respekti;
te analizat politike e historike, ku fjala e tij ishte e matur, e argumentuar dhe larg çdo manipulimi;
te lajmet, ku e vërteta kishte përparësi mbi shpejtësinë;
te rubrikat për personalitetet, historinë, kulturën, gjuhën dhe trashëgiminë kombëtare;
e deri te skema programore në tërësi, që mbante vulën e tij profesionale dhe morale.

Pa profesor Ahmet Qeriqin, ecja është e vështirë.
Rrugëtimi është i rëndë.
Çdo ditë kërkon më shumë përpjekje, më shumë përgjegjësi dhe më shumë vetëdije se barra që ka lënë pas është e madhe, por edhe e shenjtë.

Megjithatë, puna kolosale e profesorit, puna e tij 26-vjeçare, në RKL, nuk është një trashëgimi e zakonshme.
Ajo është një fond i pashtershëm, një arkiv i gjallë kombëtar, një pasuri që edhe një shekulli do të jetë e mjaftueshme për të botuar, për të transmetuar, për të mësuar dhe për të vazhduar rrugën.

Në atë fond jeton historia jonë.
Jetojnë zërat e luftës, të rezistencës, të sakrificës.
Jetojnë emrat e dëshmorëve, të martirëve, të veprimtarëve, të intelektualëve që profesori i dokumentoi me përpikëri dhe dashuri për të vërtetën.
Jeton Kosova e dhimbshme, por edhe Kosova krenare.

Profesor Ahmet Qeriqi nuk e shihte radion si një mjet teknik.
Ai e shihte si një mision.
Si një detyrim moral ndaj historisë, ndaj luftës çlirimtare, ndaj popullit dhe brezave që do të vijnë.

Motoja e tij ishte e qartë, e thjeshtë dhe e fuqishme:
“Ecim përpara, vëlla. Kthim prapa s’ka.”

Kjo moto nuk ishte vetëm një fjali.
Ishte filozofia e tij e jetës.
Ishte mënyra se si e përballonte vështirësinë, kritikën, padrejtësinë dhe lodhjen.
Ishte rruga që AI na mësoi ta ndjekim, edhe kur duket e vështirë, edhe kur mungon AI që e nisi.

Dhe pikërisht për këtë arsye, ne do të vazhdojmë.
Do të vazhdojmë sa të mundemi dhe sa të dimë.
Do të vazhdojmë në rrugën e nisur nga babi, nga profesori, nga drejtori ynë.
Jo për zakon, por për nderim.
Jo për detyrim, por për besnikëri ndaj vizionit të Tij.

Radio Kosova e Lirë do të ecë përpara, sepse kthim prapa nuk ka.
Do të ecë me përgjegjësi, me përulësi dhe me përkushtim ndaj së vërtetës, ashtu siç na mësoi profesori.

Në fund të këtij viti të dhimbshëm, por edhe reflektues, ne u drejtohemi juve, të nderuar dëgjues dhe bashkëpunëtorë të Radio Kosovës së Lirë.

Ju falënderojmë për besimin, për durimin dhe për përkrahjen tuaj.
Ju falënderojmë që qëndruat me ne edhe në ditët më të vështira.
Ju falënderojmë që e mbajtët gjallë frymën e radios, sepse Radio Kosova e Lirë nuk është vetëm stafi i saj, është shoqeria e saj.

Qoftë viti që vjen vit i shëndetit familjar për secilin prej jush.
Qoftë vit i sukseseve dhe arritjeve personale e profesionale.
Qoftë vit i mirëqenies, i paqes shpirtërore dhe i shpresës së re.
Qoftë vit i forcës për të përballuar sfidat dhe i guximit për të ecur përpara.

Në emër të trashëgimisë së profesor Ahmet Qeriqit,
në emër të Radios Kosova e Lirë,
dhe në emër të fjalës së lirë që AI e mbrojti gjithë jetën,

Ne ecim përpara.
Sepse kthim prapa nuk ka.

Kontrolloni gjithashtu

Premtime për vota, shtyrje për qytetarë: Kurti e zhvendos pagën e 13-të në vitin 2027

Pas fushatës së mbushur me premtime të mëdha dhe ndihma simbolike prej 100 eurosh, kryeministri …