BE i bën thirrje Kosovës të ratifikojë Planin e Rritjes: Pa Kuvend funksional, bllokohen miliona euro

Komisioni Evropian ka bërë thirrje që Kosova ta ratifikojë sa më shpejt marrëveshjen me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, sapo të konstituohet Kuvendi i ri, në mënyrë që të nisë përfitimi i mjeteve financiare nga kjo paketë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Edhe pse Kosova ishte ndër vendet e para që e miratoi agjendën e reformave në vitin 2024, ajo nuk ka mundur t’i pranojë fondet për shkak të mungesës së një Kuvendi funksional që do ta ratifikonte marrëveshjen formale me BE-në. Sipas Komisionit Evropian, ratifikimi i shpejtë është në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. “Është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më shpejt, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron Plani i Rritjes, në dobi të popullatës së saj”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Komisionit Evropian. Kosova pritet ta konstituojë Kuvendin e ri në javët në vijim, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, të cilat u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje. Megjithatë, për ratifikimin e marrëveshjes me BE-në nevojiten 80 vota në Kuvendin me 120 ulëse, çka nënkupton domosdoshmërisht edhe mbështetjen e opozitës. Pa këtë ratifikim, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë dhe rrjedhimisht nuk mund t’i shfrytëzojë fondet e Planit të Rritjes, i cili përfshin gjithsej 6 miliardë euro për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante, ndërsa 4 miliardë të tjera kredi të favorshme. Kosovës i takojnë rreth 900 milionë euro, duke e bërë përfituesen më të madhe për kokë banori.

Kontrolloni gjithashtu

Washington Post “godet” Jack Smith-in: Qasje evropiane që rrezikon fjalën e lirë amerikane

Gazeta prestigjioze amerikane The Washington Post i ka kushtuar një editorial kritik ish-prokurorit të posaçëm …