Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, në të cilën njoftoi se do ta ofrojë dorëheqjen e tij në Kuvendin e LDK-së. Duke u deklaruar para mediave, Abdixhiku tha se nuk beson se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të zgjedhjes së presidentit, pasi sipas tij ekzistojnë kandidatë konsensualë që mund të marrin mbështetje të gjerë politike. Ai theksoi se çdo marrëveshje politike me LDK-në duhet të përfshijë edhe diskutimin për presidentin e ardhshëm të Kosovës. “Në qoftë se dikush do marrëveshje politike me LDK-në duhet të bisedojë edhe për çështjen e presidentit. Nëse dikush tenton të imponojë kandidat dhe nuk i duhen votat e LDK-së, atëherë është çështje tjetër. Ne i kemi 15 vota dhe kushdo që dëshiron t’i ketë ato duhet të bisedojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, deklaroi Abdixhiku. Ai shtoi se kandidati për president duhet të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe unitetin e vendit, e jo vetëm interesat e një partie politike. Besoj se do të ketë individë që do të shprehin interesim për një pozitë kaq të rëndësishme, por kush e përfaqëson unitetin dhe shumicën prej 80 votash mbetet të shihet në diskutimet mes partive politike”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
