Drejtësia troket pas 26 vitesh: Aktakuza për Reçakun gati, Prekazi në prag, krimet që Serbia s’mund t’i fshehë më

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 shtetasve serbë për Masakrën e Reçakut, ndërsa paralajmëron se shumë shpejt do të ngrihet aktakuzë edhe për masakrën në Prekaz ndaj familjes Jashari. Këtë e ka bërë të ditur kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një intervistë për Klan Kosova. Sipas Isufajt, përgatitjet për aktakuzën lidhur me Prekazin janë në fazën përfundimtare. “Kemi me ngrit aktakuzë shumë shpejt për atë çka i ndodhi familjes Jashari, dhe them shumë shpejt”, ka deklaruar ai, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm drejt vendosjes së drejtësisë për një nga krimet më simbolike të luftës në Kosovë. Ndërkohë, për Masakrën e Reçakut, ku më 15 janar 1999 u vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë, Prokuroria Speciale tashmë ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave, për të cilët janë lëshuar edhe urdhërarreste. Isufaj ka bërë të ditur se autoritetet kosovare kanë kërkuar bashkëpunim edhe nga Serbia, ndonëse, sipas tij, ka qenë e pritshme që ky bashkëpunim të refuzohej. “Krejt këta persona janë në Serbi dhe ne kemi ngritur gjykim në mungesë”, tha Isufaj, duke shtuar se në këtë aktakuzë përfshihet edhe Goran Radosavleviq. Hetimet, sipas kryeprokurorit, po vazhdojnë edhe për persona të tjerë, përfshirë ish-gjyqtaren e Qarkut të Prishtinës, Danica Marinkoviq. Ngjarjet në Reçak janë dëshmuar edhe nga ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së, amerikani William Walker, por Prokuroria Speciale paralajmëron se, përveç tij, në proces do të thirren edhe dëshmitarë të tjerë ndërkombëtarë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Behxhet Shala: “Kurthi dhe Osmani, binom i autokracisë që po e çon Kosovën drejt federalizimit”

Analisti dhe publicisti Behxhet Shala, publikuar një reagim jashtëzakonisht të ashpër ndaj pushtetit aktual, duke …