Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) sh.a. ka njoftuar se ka parashtruar padi ndaj Janina Ymerit nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), për shkak të deklaratave që, sipas KEK-ut, përmbajnë informata të rrejshme dhe dëmtojnë reputacionin e institucionit. Në njoftimin zyrtar, KEK bën të ditur se ka ndërmarrë dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë raportimin në rrjetet sociale dhe veprimet ligjore, me qëllim të ndalimit të përhapjes së informatave të pasakta dhe propagandës, veçanërisht kur ato vijnë nga zyrtarë publikë. “Çdo përpjekje për të denigruar punonjësit ose përfaqësuesit e Korporatës, apo për t’i atribuar KEK-ut përgjegjësi që nuk i përkasin, është e papranueshme dhe do të ndiqet deri në fund ligjërisht,” thuhet në njoftim. KEK sh.a. thekson se nuk ekziston asnjë pengesë për qasje në informacionet zyrtare, të cilat, sipas tyre, janë publike, transparente dhe të qasshme për të gjithë qytetarët përmes ueb-faqes zyrtare të Korporatës. Po ashtu, KEK nënvizon se të dhënat e saj janë zyrtare, të verifikueshme dhe të krahasueshme me të dhënat publike të KOSTT-it. Korporata nuk ka dhënë detaje shtesë lidhur me natyrën konkrete të deklaratave që kanë nxitur padinë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
