Janina Ymeri ka reaguar publikisht pas padisë së ngritur ndaj saj nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për shpifje, duke deklaruar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë njoftim zyrtar nga Gjykata lidhur me këtë çështje. Ajo ka theksuar se bërja publike e padisë, para se të njoftohej zyrtarisht, përbën një përpjekje për frikësim dhe presion ndaj saj. Ymeri ka sqaruar se, sipas Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, autoritetet publike nuk kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim për shpifje, duke e cilësuar padinë e KEK-ut si të pabazë dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas saj, kjo padi është politikisht e motivuar dhe synon ta heshtë kritikën publike. Ajo ka akuzuar KEK-un për përndjekje politike, duke theksuar se analizat dhe qëndrimet e saj bazohen në fakte publike dhe të verifikueshme. Ymeri ka shtuar se ngritja e zërit për çështjet energjetike dhe për interesin publik nuk përbën shpifje, por është detyrë qytetare dhe pjesë e lirisë së shprehjes. Në fund, ajo ka paralajmëruar se do të vazhdojë të flasë hapur për sektorin e energjisë dhe për çështjet që prekin interesin publik, pavarësisht përpjekjeve për ta frikësuar apo për ta ndalur përmes padive gjyqësore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
