Ish-kryeministri dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se dorëheqja e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet të konsiderohet e kryer dhe nuk mund të shoqërohet me kërkesë për votëbesim. Hoti theksoi se Statuti i LDK-së i ndan qartë procedurat e dorëheqjes nga ato të votëbesimit, duke nënvizuar se Abdixhiku ka njoftuar publikisht “ofrimin e dorëheqjes”, gjë që sipas tij e përjashton automatikisht votëbesimin. “Nuk mund të shkohet në votëbesim sepse është dhënë dorëheqja. Fjala publike për zyrtarin publik është ligj dhe obligim”, deklaroi Hoti. Ai sqaroi se votëbesimi mund të kërkohet vetëm në dy mënyra: nga vetë kryetari ose nga një e treta e delegatëve të Kuvendit, përmes votimit të fshehtë. Ndërsa në rast dorëheqjeje, sipas tij, Kuvendi thirret vetëm për ta konstatuar dhe njoftuar atë, pa procedurë votimi. Hoti shtoi se Kuvendi i LDK-së i thirrur për 31 janar nuk ka bazë statutare për votëbesim, pasi rasti konkret lidhet me dorëheqjen e ofruar për shkak të rezultatit të dobët zgjedhor. “Në këtë rast, çështja përmbyllet me njoftimin e dorëheqjes. Statuti është i qartë: neni për votëbesim është veçmas, neni për dorëheqje është veçmas”, përfundoi Hoti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
