U mbajt mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Deçanit për vitin 2026, njëkohësisht seanca e parë për legjislaturën 2025–2029. Mbledhjen e udhëhoqi Kryesuesi i Kuvendit, z. Hajdar Sutaj.
Në seancë morën pjesë Kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj, anëtarët e Kuvendit Komunal, drejtorët e drejtorive komunale, përfaqësues të OSBE-së, si dhe zyrtarë komunalë.
Pikat e rendit të ditës ishin:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga mbledhja inauguruese e Kuvendit;
2. Themelimi i Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF)
3. Themelimi i Komitetit për Komunitete;
4. Shqyrtimi dhe miratimi i Planit të Punës së Kuvendit për vitin 2026;
5. Shqyrtimi i raportit të punës së Kryetarit të Komunës për vitin 2025;
6. Shqyrtimi i raportit financiar për vitin 2025;
7. Shqyrtimi i raportit të Planit të Integritetit për vitin 2025;
8. Marrja e vendimit për hartimin e draft-rregullores për plotësimin e kushteve teknike për lokale afariste në territorin e Komunës së Deçanit dhe formimi i komisionit për hartimin e kësaj draft-rregulloreje;
9. Të ndryshme
Si pikë shtesë e rendit të ditës u përfshi edhe kërkesa nga Drejtoria e Arsimit për formimin e komisionit për përzgjedhjen e drejtorit të shkollës “Lan Selimi”, ku u bë formimi i komisionit përkatës. Po ashtu, u bë edhe themelimi i Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Lokale “Higjiena”.
Në këtë seancë u propozuan dhe u zgjodhën anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF):
• Florim Mataj
• Armend Loshaj
• Elmedina Sadikaj
• Rrezarta Hadergjonaj
• Vatan Istrefaj
• Ndriçim Çekaj
Ndërsa anëtarët e Komitetit për Komunitete nga Kuvendi Komunal janë:
• Yllka Berisha
• Albesa Cacaj
Të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan nga anëtarët e Kuvendit, disa me shumicë votash dhe disa unanimisht.
Të gjitha pyetjet e drejtuara nga anëtarët e Kuvendit për Kryetarin Ramosaj dhe ekzekutivin morën përgjigje nga Kryetari dhe ekzekutivi, ka njoftuar Zyra për Informim dhe Komunikim me Publikun.