Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e rezultatit të kandidatëve të saj, ndërsa ka refuzuar ankesat e tjera, përfshirë atë të Bekim Haxhiut dhe palëve të tjera ankuese. Në vendimin e publikuar, PZAP ka vlerësuar se qëndrimi i KQZ-së ka qenë i padrejtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Sipas Panelit, mosshpallja e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe nuk mbështetet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit. Në arsyetim thuhet se pas përfundimit të të gjitha procedurave të numërimit dhe rinumërimit për subjektet politike, rezultati përfundimtar duhet të shpallet menjëherë dhe të përfshijë të gjitha subjektet pa përjashtim. Sipas PZAP-it, çdo shpallje e pjesshme e rezultateve në këto rrethana nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh edhe me praktikat e mira zgjedhore dhe standardet e Komisionit të Venecias. Ky vendim përforcon përplasjen institucionale mes KQZ-së dhe mekanizmave të ankesave, ndërsa ngre pikëpyetje për konsistencën e vendimmarrjes, pasi ankesat e kandidatëve dhe subjekteve të tjera janë refuzuar. Zhvillimi pritet të ndikojë në dinamikën e mëtejshme të certifikimit të rezultateve dhe të shtojë debatet politike rreth trajtimit të barabartë të subjekteve në procesin zgjedhor.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
