Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit dhe njërit nga të akuzuarit në Hagë, Jakup Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Prokurorisë së Specializuar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si përpjekje për kriminalizimin e rezistencës shqiptare. Në reagimin e tij, ai theksoi se, sipas kësaj narrative, shqiptarët do të duhej të rrinin duarkryq përballë vrasjeve, dhunës dhe trajtimeve çnjerëzore, në vend se të luftonin për mbijetesë dhe dinjitet. Sipas Krasniqit, problemi po paraqitet si rezistenca e popullit, e jo krimet sistematike të kryera nga Serbia gjatë luftës. Ai vlerësoi se çdo përpjekje për ta paraqitur luftën çlirimtare si akt kriminal përbën rrezik për të vërtetën historike dhe synon të krijojë barazim mes agresorit dhe viktimës. Krasniqi shtoi se vetë ekzistenca dhe liria e fituar e popullit të Kosovës, sipas tij, mbeten dëshmia më e fortë për drejtësinë dhe domosdoshmërinë e rezistencës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
