Për dallim nga tonet më institucionale të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka mbajtur një fjalim të ashpër kritik në seancën e Kuvendit, pas prezantimit të ekspozesë së kryeministrit Albin Kurti për kabinetin e ri qeverisës. Nga foltorja e Kuvendit, Tahiri ka drejtuar një varg akuzash ndaj Kurtit dhe qeverisjes së tij, duke vënë në pikëpyetje pretendimet për standarde demokratike dhe mirëqenie sociale. “Si mund ta quash qeverinë tënde qeverinë më demokratike që ka pasur Kosova? Kjo qeveri ka qenë qeveria që ka sulmuar fjalën e lirë. Ka sulmuar gazetarët. Kjo qeveri ka qenë më anti-kushtetuesja. Nga kjo foltore jeni zotuar se do ta lini Kosovën pa kryeprokuror. Kjo qasje autoritare e ka vetëm një emër. Dhe ajo jeni ju”, deklaroi Tahiri. Ai kritikoi edhe gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe mungesën e reformave të premtuara, duke përmendur trajtimin e pacientëve dhe mosrealizimin e skemës së sigurimeve shëndetësore gjatë mandatit të kaluar. “U fol për mirëqenie — për çfarë mirëqenie po flisni? A e dini që dikujt që i sëmuret prindi, maltretohet në QKUK. U fol këtu për sigurime shëndetësore. Kjo për pesë vite nuk ka ndodhur…”, tha ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
