Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se në seancën e parë të punës të legjislaturës X të Kuvendit do të kërkojë që, përveç marrëveshjeve ndërkombëtare në rend dite, të hidhet në votim edhe një rezolutë e përgatitur nga ekspertë të pavarur, që lidhet me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe me, siç u tha, mbrojtjen e dinjitetit të luftës çlirimtare. Lajmi u bë i ditur nga deputetët e PDK-së, Vlora Çitaku dhe Përparim Gruda, në një konferencë për media para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit. Çitaku deklaroi se zyrtarët e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë duhet të kenë mbështetje institucionale dhe politike nga shteti i Kosovës, duke theksuar se rezoluta tashmë është deponuar në Kuvend. Ajo u bëri thirrje të gjitha grupeve parlamentare që ta mbështesin dokumentin, duke e lidhur këtë me nevojën për qëndrim të përbashkët institucional në çështje që, sipas saj, prekin historinë dhe shtetësinë e vendit. Deputeti Përparim Gruda shpjegoi përmbajtjen kryesore të rezolutës, duke thënë se ajo kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që procesi gjyqësor në Hagë të zhvillohet në përputhje me standardet evropiane për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe me normat e Kushtetutës së Kosovës dhe instrumenteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
