Në fazën finale të gjykimit në Hagë i është vazhduar masa e paraburgimit Hashim Thaçit

Ish-presidentit Hashim Thaçi i është vazhduar masa e paraburgimit nga gjykata speciale në Hagë, në rastin ku ai gjykohet së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Vendimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, i cili ka arsyetuar vazhdimin e masës me pretendimin për rrezik të pengimit të procedurave dhe mundësinë e kryerjes së veprave të tjera brenda juridiksionit të gjykatës. Zgjatja e paraburgimit vjen në momentin kur procesi ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet aktgjykimi, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënim unik prej 45 vitesh burgim për secilin nga të akuzuarit. Në të njëjtën kohë, mbrojtja ka nisur paraqitjet përmbyllëse, duke kundërshtuar ashpër bazën provuese të aktakuzës dhe mënyrën e zhvillimit të procedurës. Vendimi për vazhdimin e paraburgimit ka nxitur reagime dhe kritika të reja ndaj Gjykatës Speciale, sidomos për kohëzgjatjen shumëvjeçare të masave kufizuese pa aktgjykim përfundimtar.

Kontrolloni gjithashtu

Albulena Haxhiu zgjidhet Kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, …