Michael Doyle: Deklaratat përfundimtare mbyllen javën e ardhshme

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka njoftuar se deklaratat përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të përfundojnë të mërkurën e ardhshme, pas së cilës rasti do të konsiderohet i mbyllur për shqyrtim nga trupi gjykues. Sipas Doyle, vendimi i gjykatës pritet të merret brenda një afati prej tre deri në pesë muajve nga përmbyllja e procedurës. Ai sqaroi se kolegji gjyqësor do të ketë fillimisht tre muaj kohë për vlerësimin e plotë të çështjes, me mundësi shtesë edhe për dy muaj të tjerë, nëse konsiderohet e nevojshme. Doyle bëri të ditur se Prokuroria e Specializuar tashmë ka përfunduar deklaratën përmbyllëse, ndërsa mbrojtja e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ka paraqitur argumentet e saj. Në vazhdim pritet që deklaratat përfundimtare t’i paraqesin edhe ekipet mbrojtëse të Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Ai theksoi se gjatë fazës së vlerësimit, gjykata do të shqyrtojë kredibilitetin e dëshmitarëve, bazën dhe peshën e provave, duke rikujtuar parimin themelor se të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa të shpallen fajtorë me vendim të formës së prerë. Sa i përket paraburgimit të ish-presidentit Hashim Thaçi, Doyle deklaroi se masa është vlerësuar ende e domosdoshme për shkak të rrezikut të mundshëm të ndikimit në procedura ose ndaj dëshmitarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …