Ekspertët e drejtësisë dhe njohësit e fushës vlerësojnë se drejtësia është virtyti themelor i çdo institucioni, dhe ligjet apo organizimet, sado të mirorganizuara, duhet të reformohen ose shfuqizohen nëse prodhojnë padrejtësi. Sipas teorisë së filozofit John Rawls, legjitimiteti i institucioneve bazohet mbi drejtësinë dhe barazinë, dhe çdo sistem që cenon këto parime humb bazën morale për ekzistencën e tij. Në këtë kontekst, disa kritikë në Kosovë kanë ngritur shqetësime mbi gjykatën speciale, duke argumentuar se fokusimi i tyre ekskluziv mbi pretendimet për krime të pjesëtarëve të UÇK mund të krijojë një trajtim të diferencuar dhe të cenojë parimin e barazisë normative. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 përmes ndryshimeve kushtetuese të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe si rezultat i një detyrimi ndërkombëtar, i bazuar në rekomandimet e Task-Forcës Hetimore Speciale të udhëhequr nga prokurori Clint Williamson dhe pas Raportit të Dick Marty-t në Këshillin e Evropës. Qëllimi i tyre ishte trajtimi i pretendimeve për krime gjatë periudhës së konfliktit në Kosovë. Ekspertët theksojnë se sfida reale nuk është shfuqizimi, por garantimi që Dhomat Speciale të operojnë në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë dhe të respektojnë barazinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve, duke ruajtur kështu legjitimitetin e tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
