Debate të ashpra janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës lidhur me propozimin për dyfishimin e mbështetjes financiare për katër ish-krerët e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Hagë. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Geci, ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj këtij propozimi, duke deklaruar se ata nuk mund të konsiderohen si themelues të shtetit të Kosovës dhe se vazhdimi i financimit për mbrojtjen e tyre nuk është i arsyeshëm në këtë fazë të procesit. “Ata nuk janë themelues të shtetit. Meqenëse procesi është në përfundim, nuk konsideroj se është e arsyeshme të vazhdojmë për mbrojtje të tyre”, u shpreh Geci gjatë seancës plenare. Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Tahiri, i cili theksoi se çështja e themeluesve i takon historisë dhe se mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së është e domosdoshme. Sipas Tahirit, 17 Shkurti mbetet datë e përjetshme për shtetin e Kosovës dhe kontributi historik i protagonistëve të asaj periudhe është i njohur, ndërsa ndihma financiare nuk ndikon drejtpërdrejt brenda vendit, por përfaqëson një përgjegjësi shoqërore. Mbështetje për amendamentin dha edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i cili e cilësoi ndihmën shtesë si “infuzionin e fundit nga shteti për katërshen e UÇK-së”.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
