Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se subjekti që ai drejton do ta përkrahë pa asnjë rezervë zotimin e Kosovës për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, sa herë që ai të vijë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Hamza tha se PDK-ja e konsideron pozitive përfshirjen e Kosovës në këtë mekanizëm ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “PDK-ja gjithmonë e përkrah që Kosova të jetë aty ku janë ShBA-të. Ne e vlerësojmë si diçka pozitive dhe sigurisht që Kosova do ta japë kontributin e vet brenda këtij bordi, varësisht prej asaj që kërkohet dhe mundësive që ka vendi”, është shprehur Hamza. Ai shtoi se mbështetja e PDK-së për këtë nismë është e plotë dhe pa rezerva, duke e parë pjesëmarrjen në Bordin e Paqes si një mundësi për forcimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës dhe kontributin e saj në iniciativat për paqe dhe stabilitet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
