Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohen konsultimet për zgjedhjen e Presidentit të vendit, duke e cilësuar si të pazakontë mbajtjen e tyre në zyrën e kryeministrit Albin Kurti. Reagimi i tij vjen pasi Kurti priti në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar pikërisht procesin e zgjedhjes së Presidentit. Sipas Cakollit, zgjedhja e Presidentit është proces ekskluzivisht parlamentar dhe duhet të zhvillohet përmes takimeve ndërmjet liderëve të partive parlamentare, e jo në kuadër të raportit Qeveri–opozitë. Ai theksoi se ky proces kërkon marrëveshje politike dhe konsensus të gjerë në Kuvend. Cakolli paralajmëroi se afati kohor është vendimtar, pasi për zgjedhjen e Presidentit nevojiten dy të tretat e votave në dy raundet e para. Sipas tij, nëse deri më 5 mars nuk arrihet marrëveshje dhe votim i suksesshëm, vendi mund të përballet me krizë kushtetuese dhe zgjedhje të reja parlamentare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
