Qeveria e Kosovës ka vendosur përfundimisht të mos zbatojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të rinjtë, duke kaluar në një model të ri të mbrojtjes që bazohet në shërbimin vullnetar dhe konceptin e “mbrojtjes totale”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, modeli i ri konsiderohet më i menaxhueshëm në aspektin logjistik dhe në përputhje me praktikat e shumë vendeve anëtare të NATO-s, duke e trajtuar sigurinë si përgjegjësi të përbashkët të institucioneve dhe shoqërisë. Qytetarët, pavarësisht profesionit, do të kenë mundësi të angazhohen vullnetarisht në struktura mbështetëse të mbrojtjes. Koloneli në pension Hysen Gecaj e ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se sistemi i mbrojtjes nuk mbështetet vetëm te Forca e Sigurisë së Kosovës, por edhe te institucionet tjera si Policia, AKI dhe shërbimet emergjente, të cilat kanë role të përcaktuara në situata krize. Ai sugjeron gjithashtu futjen e edukimit për mbrojtjen në shkolla dhe trajnime praktike afatshkurtra në kazermat e FSK-së, si një alternativë më pak e kushtueshme për buxhetin e shtetit. Ndryshe, ideja për shërbim të detyrueshëm ishte paralajmëruar më herët nga kryeministri Albin Kurti, por iniciativa tashmë konsiderohet e mbyllur.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
