Derisa vendi ndodhet vetëm pak ditë para afatit për zgjedhjen ose jo të Presidentit, analisti politik Avni Arifi ka reaguar ndaj ideve për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës dhe zgjedhjen e Presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë nga qytetarët. Sipas Arifit, një ndryshim i tillë nuk do ta zgjidhte krizën politike, por përkundrazi do ta komplikonte funksionimin institucional të vendit. Ai theksoi se në rast të zgjedhjes direkte, Presidenti do të duhej të kishte edhe kompetenca më të mëdha, të cilat do të merreshin nga Kryeministri dhe do t’i kalonin kreut të shtetit. Sipas tij, edhe pa ndryshime formale të kompetencave, legjitimiteti që buron drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve do ta fuqizonte ndjeshëm pozitën e Presidentit. “Nëse zgjidhet Presidenti në këtë mënyrë, Kosova do të udhëhiqej nga ‘dy atllarë në një mullar’, siç thotë populli”, ka shkruar Arifi, duke paralajmëruar për përplasje të mundshme institucionale mes krerëve të ekzekutivit. Në përmbyllje, ai vlerësoi se problemi kryesor nuk qëndron te mënyra e zgjedhjes së Presidentit, por te kultura institucionale dhe funksionimi politik, duke shtuar se Kosovës nuk i nevojiten komplikime të reja në këtë fazë politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
