Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (SAPC), Taulant Balla, zhvilloi në Bruksel një takim me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder. Gjatë takimit, Balla falënderoi eurodeputetin për draft-rezolutën e publikuar nga Parlamenti Europian, duke vlerësuar tonin pozitiv ndaj progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Në fokus të diskutimeve ishte ecuria e negociatave të anëtarësimit dhe objektivi strategjik për përmbylljen e negociatave teknike deri në vitin 2027. Balla rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për të ruajtur ritmin aktual të reformave, duke theksuar hapjen e të gjithë grupkapitujve gjatë vitit të kaluar dhe gatishmërinë për avancim drejt mbylljes së kapitujve sapo të plotësohen kriteret përkatëse. Palët diskutuan gjithashtu rolin e raportit vjetor të Parlamentit Europian si udhërrëfyes për thellimin e reformave, veçanërisht në forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike, luftën kundër korrupsionit dhe harmonizimin me acquis të Bashkimit Europian. Në cilësinë e Bashkëkryetarit të SAPC, Balla nënvizoi rëndësinë e dialogut të strukturuar parlamentar BE–Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në takimet e ardhshme në Strasburg.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
