Komisioni Evropian njoftoi të mërkurën se do të kërkojë nga Këshilli Evropian autorizim për të hapur negociata me gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Kosova, për t’i bashkuar ato me zonën e roamingut falas të Bashkimi Evropian. Ky hap do të mundësojë që udhëtarët të përdorin internetin, të bëjnë thirrje dhe të dërgojnë mesazhe pa shpenzime shtesë kur vizitojnë këto vende. Aktualisht, qytetarët e BE-së mund të përdorin shërbimet e telefonisë mobile brenda BE-së pa kosto shtesë, dhe që nga 1 janari, Ukraina dhe Moldavia janë bashkuar gjithashtu në këtë sistem. Sipas njoftimit të Komisionit, “njerëzit që udhëtojnë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor do të mund të bëjnë thirrje, të dërgojnë mesazhe ose të përdorin internetin pa shpenzime për roaming”. Megjithatë, kjo kërkon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përshtatin rregullat e roamingut sipas standardeve të BE-së dhe të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale me secilin shtet anëtar. Deri tani disa operatorë mobilë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kanë ulur tarifat për roaming, por këto janë ende vullnetare dhe jo të detyrueshme. Tani, Këshilli Evropian duhet të miratojë mandatin e Komisionit përpara se të fillojnë negociatat bilaterale. Shtetet që mund të përfitojnë nga zgjerimi i zonës së roamingut janë: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
