Sot u organizua parakalimi i klubit motoristik “Dardanët”, një aktivitet simbolik që shpreh respektin dhe nderimin për sakrificën e dëshmorëve dhe për historinë tonë të lavdishme.
Ky aktivitet filloi me nderime nga motoristët para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në qendër të Skenderajt, në sheshin “Adem Jashari”. Nga aty, motoristët vazhduan parakalimin drejt Prekazit, vendit që përfaqëson qëndresën, sakrificën dhe krenarinë e popullit tonë.
Ky marshim simbolik nuk është vetëm një aktivitet sportiv apo shoqëror, por një shprehje e përkushtimit për të mos harruar kurrë sakrificën e atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Përmes këtij parakalimi, ne kujtojmë se liria jonë është e shenjtë dhe se kujtimi për dëshmorët tanë duhet të jetojë gjithmonë në ndërgjegjen tonë kolektive.
Falënderojmë klubin motoristik “Dardanët” dhe të gjithë pjesëmarrësit që me këtë aktivitet i japin nderim historisë sonë dhe kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës për Epopën e UÇK-së.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit