Tema të tjera...
Biografia e veprës së Ahmet Qeriqi kujtohet në akademi nga luftëtarja e lirisë Elmije Plakiqi
07/03/2026
Familja e profesor Ahmet Qeriqit ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të thellë për të gjithë ata që morën pjesë në Akademinë Përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së profesorit, studiuesit dhe veprimtarit të shquar, Ahmet Qeriqi.
Në një mesazh falënderimi, familja thekson se prania e miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve, bashkëveprimtarëve, personaliteteve të jetës publike, përfaqësuesve institucionalë, si dhe e shumë qytetarëve nga të gjitha trojet shqiptare, e bëri këtë akademi një moment të veçantë kujtese, respekti dhe nderimi për figurën dhe kontributin e profesor Ahmet Qeriqit.
Kjo pjesëmarrje e gjerë ishte dëshmi e qartë e vlerësimit që gëzon figura e tij në shoqëri dhe e gjurmës së thellë që ai ka lënë në jetën kulturore, arsimore dhe kombëtare.
“Prania juaj në këtë akademi përkujtimore ishte për ne një mbështetje morale dhe një nderim i madh për jetën dhe veprën e të dashurit tonë. Ju falënderojmë secilin veç e veç për respektin, fjalët e ngrohta dhe kujtimet që ndatë për profesor Ahmet Qeriqin”, thuhet në mesazhin e familjes.
Familja Qeriqi vlerëson se kujtimi për profesor Ahmet Qeriqin nuk është vetëm një përkujtim familjar, por edhe një detyrim shoqëror e kombëtar për të ruajtur dhe përçuar te brezat e rinj vlerat për të cilat ai jetoi dhe punoi.
Në akademinë përkujtimore u kujtua kontributi i tij i madh në fushën e arsimit, publicistikës, studimeve historike dhe në përpjekjet e vazhdueshme për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të së vërtetës historike. Pjesëmarrësit ndanë kujtime dhe vlerësime për personalitetin e tij, duke e cilësuar profesor Ahmet Qeriqin si një njeri të dijes, të përkushtimit dhe të idealit kombëtar.
Familja Qeriqi thekson se mbështetja dhe respekti i treguar nga të gjithë të pranishmit e bën më të lehtë përballimin e mungesës së tij fizike dhe njëkohësisht i jep kuptim të veçantë trashëgimisë së pasur që ai ka lënë pas.
Në fund të mesazhit, familja shpreh edhe një herë falënderime të sinqerta për secilin që ishte pjesë e kësaj akademie përkujtimore, duke theksuar se kujtimi dhe nderimi për profesor Ahmet Qeriqin do të mbetet gjithmonë i gjallë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
